Ministrja Krifca në konferencën “Financimi i Gjelbër” : 14% rritje të buxhetit për përballimin e ndryshimeve klimatike - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 17/11/2022

Ministrja Krifca në konferencën “Financimi i Gjelbër” : 14% rritje të buxhetit për përballimin e ndryshimeve klimatike

Ministrja Krifca: Investimet në sektorin e bujqësisë janë të orientuar drejt ekonomisë së gjelbër

“Bujqësia ka nevojë për më shumë akses në financë nga sistemi bankar, por dhe të diversifikojmë burimet e financimit përmes instrumenteve të ndryshëm financiarë me modele mikse që rrisin konkurrueshmërinë dhe efektivitetin për të plotësuar nevojat e sektorit për modernizim”.

Kështu u shpreh sot, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, në konferencën e organizuar në Tiranë, nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Ambasada Zvicerane dhe Banka Botërore, mbi mundësitë e financimit të gjelbër në Shqipëri.

Duke përgëzuar organizatorët për këtë iniciativë, Krifca theksoi se, “bujqësia për vetë impaktin që ka në mjedis, zë një vend të rëndësishëm në axhendën e gjelbër”.

“Liderët e Ballkanit Perëndimor në fund të 2020, kanë firmosur dokumentin e axhendës së gjelbër ku kanë ndërmarrë një sërë nismash që kanë të bëjnë me afrimin e bujqësisë me qëndrueshmërinë ekonomike dhe financiare duke konsideruar zhvillimin e një bujqësie të qendrushme përballë sfidave të ndryshimeve klimatike”, tha ministrja.

Ajo theksoi se, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka ndërmarrë këtë vit një strategji 7-vjeçare e cila është tërësisht në përputhje me objektivat zhvillimor të rëndësishëm që kanë të bëjnë me zhvillimin rural, ekonominë blu, sigurinë ushqimore, etj.

Krifca theksoi se, këto janë politika ambicioze që kanë nevojë për mjete financiare që nuk vijnë dot vetëm nga fondet publike. Ndryshimet klimatike janë sfida të rëndësishme përballë sektorit bujqësor ndaj dhe kërkohet diversifikim i mekanizmave financiarë.

Sipas saj, në fokus të politikave që ka ndërmarrë MBZHR, është prioritet ulja e ndikimit të efekteve klimatike si erozioni, tërmeti dhe përmbytjet, ndaj dhe çdo vit adresojmë një buxhet i posaçëm për këtë qëllim.

“Këtë vit ne kemi rritur me 14% buxhetin për përballimin e ndryshimeve klimatike, përsa i takon infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit mbrojtjes së përmbytjet që përbën një nga zërat kryesor në investimet publike që duhen ndërmarrë për të përballuar këto efekte.

Investimet në sektorin e bujqësisë janë të orientuar drejt ekonomisë së gjelbër, në funksion të efekteve klimatike dhe ne po përpiqemi të orientojmë investimet sipas modeleve që ndjek dhe BE në këtë drejtim”, u shpreh ministrja. Krifca deklaroi se “ne kemi një bujqësi të bazuar në praktika ku nuk përdoren shumë pesticide dhe po punojmë me një projekt francez për uljen e CO2 në fermën blegtorale, ndërsa shembujt pozitiv po na shërbejnë për të krijuar modele në sistemet prodhuese në bujqësi dhe blegtori”.