Politikëbërës, fermerë dhe sipërmarrës të Shqipërisë rurale u mblodhën sot në Cërrik, në kuadër të një tryeze dyditore dialogu për bujqësinë dhe zhvillimin rural, pjesë e përpjekjeve për integrimin në Bashkimin Europian.
Në këtë aktivitet morën pjesë Kryeministri z. Edi Rama, Zv/Kryeministrja znj. Belinda Balluku, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Anila Denaj, ministra të tjerë te kabinetit qeveritar, deputetë, si dhe drejtues të pushtetit vendor.
Qëllimi i këtij takimi është dëgjimi i problematikave dhe ideve të aktorëve që operojnë në fushën e bujqësisë, si dhe ndërtimi i një ure të re bashkëpunimi për të forcuar sektorin në funksion të vizionit “Shqipëria 2030” dhe procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.
Në fjalën e saj, Ministrja Denaj u ndal te arritjet e sektorit gjatë dekadës së fundit.
“Kemi arritur shumë bashkë, trefishim të sipërfaqes së kultivuar në sera, pesëfishim të eksporteve bujqësore në mbi 80 tregje ndërkombëtare, rritje të mbështetjes financiare për sektorin, si dhe investime në infrastrukturë, teknologji dhe siguri ushqimore”, tha znj. Denaj.
Këto dy ditë, ministrja Denaj i cilësoi një mundësi të rëndësishme për të ndarë ide dhe për të diskutuar sfidat e së tashmes dhe të ardhmes, me synim ndërtimin e një bujqësie moderne, konkurruese dhe europiane.
“Si politikbërës, akademikë dhe biznese kemi një objektiv të përbashkët: një biznes të bujqësisë moderne, konkurruese dhe brenda familjes europiane. Dy ditë janë të rëndësishme për biznesin tuaj, dhe jam e bindur që keni lënë pas me merakun tuaj disa nga problematikat që përballeni çdo ditë, por menduam që këto dy ditë janë shumë të rëndësishme për këtë bashkëbisedim, mes të tre drejtuesve kryesorë në politikbërje, akademikëve që na janë bashkuar dhe ju si përfaqësues, që të na ndihmoni në këtë proces kaq të rëndësishëm”, theksoi znj. Denaj.
Tryeza dyditore do të vijojë me diskutime gjithëpërfshirëse dhe ndarje në grupe pune tematike. Konkluzionet dhe rekomandimet nga çdo grup do të prezantohen gjatë ditës së dytë të aktivitetit, më 3 korrik 2025.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë