Qasja LEADER - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 03/10/2022

Qasja LEADER

1. Info e përgjithshme
(Përshkrimi, baza ligjore, fusha e veprimit, struktura, funksionet, organizimi)“LEADER” është metoda për përfshirjen e partnerëve vendorë në drejtimin e zhvillimit të ardhshëm të zonave rurale, mobilizimin dhe arritjet e zhvillimit territorial në komunitetet rurale lokale në përputhje me këto kritere: e fokusuar në zona të veçanta rajonale; e udhëhequr nga grupe vendore të veprimit të përbërë nga përfaqësues të interesave lokalë socio-ekonomikë, publikë dhe privatë; e kryer përmes strategjive të zhvillimit lokal të integruara dhe shumësektoriale, të bazuara në zona; e përshtatur për të marrë në konsideratë nevoja dhe potenciale lokale dhe që përfshin karakteristika inovative në kontekst, rrjet dhe, kur është e përshtatshme, bashkëpunim lokal.
Qasja “LEADER” vihet në jetë nga “Grup vendor i veprimit” (GVV) i një zone LEADER.“Zona “LEADER”” është një zonë rurale që përcakton kufijtë brenda të cilëve hartohet dhe zbatohet një strategji e veçantë e zhvillimit lokal e udhëhequr nga komuniteti.

Përshkrimi
“Grup vendor i veprimit” GVV është një organizatë jofitimprurëse me bazë partneriteti, e përbërë nga përfaqësues të interesave lokalë socio-ekonomikë, publikë dhe privatë, në të cilën në nivelin e vendimmarrjes asnjë autoritet publik ose grup interesi nuk përfaqëson më shumë se 49% të të drejtave të votes.

Baza ligjore
Ligji 36/2022 per “Organizimin dhe funksionimin e GVV”, Udhëzim Nr.13, date 25.07.2022 (kliko këtu) si dhe Urdher Nr.350 (kliko këtu), date 25.07.2022 (kliko këtu)

Fusha e veprimit të GVV-së
Fusha e veprimit të GVV-së është mbështetja e rritjes ekonomike, sociale dhe kulturore të komuniteteve të zonës “LEADER” përmes rritjes së vlerave të burimeve lokale dhe aseteve, përmes hartimit dhe zbatimit të strategjisë së zhvillimit lokal të udhëhequr nga komuniteti.

Për këtë qëllim GVV-ja zhvillon e promovon lloje të ndryshme aktivitetesh, të tilla si:
• pjesëmarrja në nisma rajonale, kombëtare dhe ndërkombëtare për financimin e iniciativave/projekteve të qëndrueshme;
• pjesëmarrja në rrjete kombëtare dhe ndërkombëtare, shoqata ose institucione, veprimtaria e të cilave ndjek objektiva të ngjashëm;
• promovimi i iniciativave të komunikimit, bashkëpunimit në rrjet dhe projekteve të bashkëpunimit, që kanë si qëllim promovimin e marrëdhënieve fitimprurëse ndërmjet aktorëve lokalë me territore dhe institucione të tjera;
• ofrimi i informacioneve, mbështetja teknike dhe trajnimi i promotorëve lokalë potencialë të projekteve;
• administrimi dhe menaxhimi i aseteve.

Struktura e GVV-së
1. GVV-të krijohen dhe funksionojnë si organizata jofitimprurëse me anëtarësi sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizatat jofitimprurëse.
2. Në përputhje me parimin e barazisë gjinore dhe kërkesat e këtij ligji, një GVV regjistrohet vetëm nëse struktura e tij organizative ka në përbërje të paktën këto organe të brendshme:
• Asamblenë e Përgjithshme;
• Bordin ekzekutiv;
• Personelin, që do të përfshijë të paktën:
o i) drejtorin ekzekutiv, i cili zgjidhet midis anëtarëve të bordit ekzekutiv nga vetë bordi, me propozim të presidentit;
o ii) ekspertin kontabël.
Asambleja e Përgjithshme e GVV-së është organi më i lartë vendimmarrës në të cilin të gjithë anëtarët e GVV-së thirren në mbledhje të paktën 1 herë në vit dhe është përgjegjëse për zgjedhjen e bordit dhe të presidentit nga radhët e anëtarëve të GVV-së. Këto zgjedhje duhet të ndjekin parimin e partneritetit, të barazisë territoriale, barazisë gjinore dhe të moshës.
Funksionet e Asamblesë së Përgjithshme përcaktohen në statutin e GVV-së në përputhje me dispozitat e ligjit Ligji 36/2022 per “Organizimin dhe funksionimin e GVV” (kliko këtu).

Bordi i GVV-së është organi më i lartë ekzekutiv, ku përfaqësohen të gjithë partnerët e zonës “LEADER”, të propozuar nga secila tipologji partnerësh, sipas parimit të partneritetit.

Funksionet dhe përgjegjësitë e bordit të GVV-së. Bordi i GVV-së është përgjegjës për vendimmarrjen e përditshme të GVV-së dhe për funksionimin ligjor dhe financiar të tij, për autorizimin e kostove operative, të cilat në çdo rast nuk mund të kalojnë 25% të shpenzimeve të fondeve publike të kryera në kuadër të strategjisë së zhvillimit lokal të udhëhequr nga komuniteti.

Presidenti i GVV-së drejton mbledhjet e bordit. Të gjithë anëtarët e bordit duhet të firmosin një deklaratë konfidencialiteti për informacionet me të cilat njihen në pozicionet e tyre gjatë procesit të vendimmarrjes.

Bordi mund të ngrejë nënkomitete për të përgatitur dhe vlerësuar materialet që do të paraqiten për vendimmarrjen e bordit, të tilla si: nënkomitete bashkëpunimi, vlerësimi dhe monitorim projektesh.

Personeli i GVV-së mund të përfshijë këshilltarë/koordinatorë projektesh, këshilltarë/koordinatorë komuniteti, këshilltarë/koordinatorë biznesi, asistentë zyre etj., nëse konsiderohet e nevojshme.

Bordi i GVV-së duhet të sigurojë:
a) një strukturë me pjesëmarrjen e anëtarëve me moshë të ndryshme, pjesëmarrjen e grave etj. Bordi duhet të përfshijë:
• të paktën 2 gra;
• të paktën 2 persona nën moshën 35 vjeç;
b) të gjithë anëtarët e bordit duhet të jenë rezidentë në territorin e GVV-së

Funksionet e GVV-së
GVV-ja duhet që të regjistrohet sipas ligjit 36/2022 (kliko këtu) harton dhe miraton strategjinë e zhvillimit lokal të udhëhequr nga komuniteti për zonën “LEADER” përkatëse, sipas modelit të përcaktuar me udhëzim të ministrit (kliko këtu).
Gjatë zbatimit të strategjisë së zhvillimit lokal të udhëhequr nga komuniteti, GVV-ja duhet të jetë në gjendje të kryejë këto funksione:
a) të krijojë kapacitetet e aktorëve lokalë, që përfshin përfituesit e mundshëm për të zhvilluar dhe zbatuar masa/aktivitete që përfshijnë fuqizimin e kapaciteteve të tyre të hartimit dhe menaxhimit të projekteve;
b) të hartojë një procedurë përzgjedhjeje jodiskriminuese dhe transparente, e cila shmang konfliktet e interesit dhe siguron që të paktën 50% e votave në vendimet e përzgjedhjes janë nga partnerë që nuk janë autoritete publike dhe lejon përzgjedhjen me procedurë të shkruar;
c) të hartojë dhe miratojë kritere objektive jodiskriminuese për përzgjedhjen e masave/aktiviteteve që sigurojnë koherencë me strategjinë e zhvillimit lokal të udhëhequr nga komuniteti, duke i prioritizuar ato masa/aktivitete në bazë të kontributit që ato japin në arritjen e objektivave të asaj strategjie (kliko këtu);
ç) të përgatisë dhe të publikojë kërkesa për propozime ose një procedurë të vazhdueshme të paraqitjes së projekteve;
d) të marrë dhe të vlerësojë kërkesën për mbështetje;
dh) të përzgjedhë projektet dhe të përcaktojë masën e mbështetjes dhe, kur është e zbatueshme, të paraqesë propozime tek organi përgjegjës për verifikimin final të të drejtave, para miratimit;
e) të monitorojë dhe të zbatojë strategji dhe projekte të zhvillimit lokal të udhëhequra nga komuniteti, si dhe të kryejë aktivitete specifike vlerësimi që lidhen me atë strategji;
ë) të gjallërojë strategjinë e zhvillimit lokal të udhëhequr nga komuniteti për të mundësuar shkëmbime ndërmjet aktorëve për sigurimin e informacionit dhe promovimin e strategjisë dhe të mbështesë përfituesit potencialë, duke synuar zhvillimin e projekteve dhe përgatitjen e kërkesave.
Gjatë zbatimit të strategjisë së zhvillimit lokal të udhëhequr nga komuniteti, GVV-ja duhet të ketë burime njerëzore të mjaftueshme dhe kompetente, veçanërisht për plotësimin e funksioneve të mëposhtme:
a) gjallërimin lokal;
b) menaxhimin administrativ dhe financiar;
c) sisteme të zbatimit dhe realizimit të objektivave të strategjisë.

Organizimi i GVV-së
Gjatë realizimit të misionit të tij publik, aktivitetet e GVV-së, që financohen nga fonde publike, kryhen në përputhje me parimet e një prokurimi publik efektiv, transparent e llogaridhënës dhe me parimet e menaxhimit të qëndrueshëm financiar, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për prokurimin public (kliko këtu), menaxhimin dhe kontrollin financiar.
Në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin dhe kontrollin financiar, Asambleja e Përgjithshme e GVV-së miraton një rregullore të brendshme, që përcakton procedurat e funksionimit të GVV-së, me qëllim garantimin e transparencës dhe llogaridhënies në procesin e vendimmarrjes dhe në menaxhimin teknik dhe administrativ të aktiviteteve.
Rregullorja e brendshme duhet të rregullojë të paktën këto çështje:
a) zbatimin e parimit të partneritetit;
b) zbatimin e parimit nga poshtë-lart;
c) zbatimin e parimit të rrjetëzimit dhe të bashkëpunimit;
ç) organizimin e strukturës operacionale (stafit);
d) menaxhimin e burimeve njerëzore;
dh) prokurimin e mallrave dhe të shërbimeve;
e) hartimin dhe zbatimin e strategjisë së zhvillimit lokal të udhëhequr nga komuniteti;
ë) konfliktin e interesit

2. Strategjia e Zhvillimit Lokal (hartimi I strategjise, metodologjia etj)
Strategjia (kliko këtu) e zhvillimit lokal e udhëhequr nga komuniteti miratohet nga Asambleja e Përgjithshme e GVV-së dhe miratohet në ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit rural vetëm pasi vërtetohet se përmban të paktën këto elemente:
a) numrin e banorëve dhe përkufizimin e zonës për të cilën ajo zbatohet;
b) analizën e nevojave të zhvillimit dhe potencialin konkurrues të zonës, përfshirë analizën e aspekteve të forta, dobësive, mundësive dhe risqeve në zhvillimin e zonës;
c) përshkrimin e strategjisë dhe objektivave të saj, përshkrimin e karakteristikave inovative dhe të integruara të saj dhe një hierarki objektivash, duke përfshirë objektivat e matshme për rezultatet. Në lidhje me rezultatet, objektivat mund të shprehen në terma sasiorë ose cilësorë;
ç) përshkrimin e procesit gjithëpërfshirës të komunitetit të zonës “LEADER” gjatë përgatitjes së saj;
d) planin e veprimit, që përcakton veprimet konkrete që zbatohen për realizimin e objektivave të saj;
dh) përshkrimin e rregullave të menaxhimit dhe të monitorimit të strategjisë, aftësinë e strukturës së GVV-së për të zbatuar strategjinë, si dhe përshkrimin e rregullave të detajuara për vlerësimin e zbatimit të saj;
e) planin financiar për zbatimin e strategjisë, si dhe burimet e financimit të tij. Ministri mund të rekomandojë rishqyrtimin e strategjisë së miratuar nga Asambleja lidhur me plotësimin e saj me elementet e përcaktuara sipas Ligjit.

Strategjia duhet te kete strukturen e meposhtme:

Hyrja: Jepet nje përshkrim i shkurtër i situates së GVV-se, numri i banoreve dhe përkufizimi i zonës për të cilën ajo zbatohet. Analiza e nevojave të zhvillimit dhe potenciali konkurrues i zonës, përfshirë analizën e aspekteve të forta, dobësive, mundësive dhe risqeve në zhvillimin e zonës. Identifikimi i problemeve, shkaqeve, argumentimi i nevojës për ndërhyrje.
Baza Ligjore dhe institucionale: Informacion mbi regjistrimin në |Gjykatë, Aktin e Themelimit dhe Statusin e përditësuar. Detajohen organet vendimmarrëse dhe ekzekutive. Pasqyrohet roli i autoriteteve publike.
Vizioni i strategjisë dhe misioni: Përshkrimi i strategjisë. Vizioni dhe misioni i qartë. Përshkrimi i procesit gjithpërfshirës te komunitetit të zones “LEADER” gjatë përgatitjes së saj.
Indikatorët: Cili do të jetë impakti i strategjisë/grupet që do të preken/ si do të ndikohet në aspektin ekonomik, social dhe mjedisor. Percaktimi i indikatoreve SMART.
Qëllimi i politikës dhe objektivave specifike: Cilat janë qëllimet e politikës dhe objektivave të saj, përshkrimi i karakteristikave innovative dhe të integruara të saj dhe një hierarki objektivash, duke përfshirë objektivat e matshme për rezultatet që do të arrihen.
Masat prioritare: Përcaktimi i masave konkrete që pritet të realizohen nga GVV-të, në territorin e caktuar, brenda një periudhe kohe të caktuar dhe buxhet të caktuar.
Plani i veprimit, buxheti dhe koordinimi: Hartimi i planit të veprimit, i cili përcakton veprimet konkrete që do të zbatohen për realizimin e objektivave të saj dhe arritjen e rezultateve.
Plani i monitorimit dhe Mitigimi i risqeve: Përshkrimi i rregullave të menaxhimit dhe monitorimit të strategjisë, si dhe përshkrimi i rregullave të detajuara për vlerësimin e zbatimit të saj.
Plani financiar: Hartimi i planit financiar për zbatimin e strategjisë, si dhe burimet e financimit të tij.

3. GVV dhe qasja LEADER (procedurat per aplikimet,financimi etj)

Procedurat e njohjes dhe të regjistrimit në ministri

Çdo GVV para fillimit të ushtrimit të aktivitetit, sipas parashikimeve të ligjit dhe akteve nënligjore, pajiset me autorizim nga ministri.

Për t’u pajisur me autorizim, GVV-ja paraqet kërkesën, bashkëlidhur së cilës paraqiten:
a) vendimi i gjykatës për regjistrimin në regjistrin e organizatave joqeveritare;
b) kopje e numrit të identifikimit lëshuar nga administrata tatimore;
c) vërtetim regjistrimi lëshuar nga zyra e regjistrit në gjykatë;
ç) statuti dhe akti i themelimit të GVV-së;
d) përcaktimi i zonës “LEADER”, ku do të funksionojë GVV-ja;
dh) struktura operacionale e GVV-së;
e) rregullorja e brendshme, e cila rregullon marrëdhëniet e organizimit, funksionimit, menaxhimit të riskut, procedurat e komunikimit dhe të informimit të publikut, procedurat e auditit të brendshëm.
Pas verifikimit të dokumentacionit për plotësimin e kushteve formale dhe të ushtrimit të aktivitetit nga struktura përgjegjëse pranë ministrisë, miraton autorizimin dhe urdhëron kryerjen e regjistrimit të GVV-së.
Në rast të mospërmbushjes së kërkesave të përcaktuara ne ligj, struktura përgjegjëse për regjistrimin e GVV-së njofton GVV-në përkatëse për këtë mospërmbushje dhe cakton një afat 6-mujor për plotësimin e tij.
Në rast se në përfundim të këtij afati konstatohet se nuk janë përmbushur ende kërkesat sipas pikës 2 të këtij neni, ministri refuzon autorizimin dhe urdhëron moskryerjen e regjistrimit në regjistrin e GVV-ve.
Kundër refuzimit të autorizimit për regjistrimin e një GVV-je, kërkuesi mund t’i drejtohet gjykatës administrative sipas procedurave të Kodit të Procedurës Administrative

4. Data base e GVV (rregjistrimi i tyre me të dhëna të çdo GVV)
Pranë ministrisë krijohet dhe mbahet regjistri i GVV-ve, sipas modelit të miratuar me urdhër të ministrit.
Regjistri do të identifikojë GVV-të për çdo zonë, duke ofruar të dhëna për:
a) zonën “LEADER” ku funksionon GVV-ja;
b) strukturën e GVV-së;
c) statutin dhe aktin e themelimit të GVV-së;
ç) rregulloren e brendshme të GVV-së;
d) aktivitetet vjetore të GVV-së;
dh) auditin dhe raportimin në GVV;
e) autorizimin;
ë) urdhrin e shfuqizimit të autorizimit
Cdo GVV ka nje numer unik dhe te dhënat mbahen të mëvetësuara për secilën prej tyre.
Regjistri përmban dokumentacionin, faktet dhe informacionin e kërkuar në nenet 15 dhe 16 te Ligjit 36/2022 “Për organizimin dhe funksionimin e GVV-ve” (kliko këtu) si dhe të dhëna të dorëzuara vulnetarisht.
Të dhënat perditesohen sipas dokumentacionit te paraqitur nga GVV-te ose te administruara nga rregjistrat publike, Brenda 10 dite pune nga data e kerkeses ose kur perditesimi behet Brenda 2 dite pune nga administrimi I dokumentit.

Raportimi dhe vlerësimi i GVV-ve
GVV-të e regjistruara në regjistër raportojnë për veprimtarinë e tyre pranë strukturës përgjegjëse në ministri, në baza vjetore, brenda muajit mars të vitit pasardhës.
Struktura përgjegjëse në ministri vlerëson aktivitetin e GVV-ve dhe përmbushjen nga ana e tyre të parimeve dhe të kritereve të përcaktuara nga legjislacioni dhe u ofron sugjerime/rekomandime kur e konsideron të nevojshme.