




Një përfaqësi e Këshillit të Investimeve Suedeze pranë Kryeministrisë së Suedisë, zhvilluan sot një takim me përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave. Takimi kryesohej nga Zëvendësministri i Bujqësisë, Z.Roni Telegrafi dhe merrnin pjesë edhe përfaqësues të lartë, drejtorë e specialistë të fushave respektive në MBZHRAU. Delegacioni suedez shoqërohej nga Këshilltarja Ekonomike e Kryeministrit Rama, Znj. Irena Beqiri, ndërsa Ministria e Mjedisit përfaqësohej nga Drejtoresha e Integrimit, Znj.Ardiana Sokoli.
Qëllimi i takimit ishte interesi i tyre për të zhvilluar investimet suedeze në Shqipëri, por më parë, duhet të njihen me situatën reale në vendin tonë dhe konkretisht atë në fushën e agrokulturës. Pikërisht për këtë, ata kërkuan informacione rreth prodhimtarisë në Shqipëri, eksportit të prodhimeve bujqësose e blegtorale.
Z.Telegrafi dhe përfaqësuesit tjerë të MBZHRAU iu paraqitën të huajve statistikat reale të vitit 2015 dhe të 9-mujorit të 2016 në lidhje me të gjitha kategoritë e prodhimeve bujqësore e blegtorale në vend, si dhe sasitë e eksportuara.
Përfaqësuesit e delegacionit suedes, të cilët janë të interesuar për bujqësinë, pylltarinë dhe peshkimin, deklaruan se, statistikat e vëna në dispozicion nga Ministria e Bujqësisë janë tregues për një sektor me shumë interes dhe që tregojnë rritje të vazhdueshme. Ata u shprehën se të dhënat e marra nga Ministria e Bujqësisë dhe përfaqësuesja e Ministrisë së Mjedisit, do t’i përpunojnë dhe paraqesin ato pranë Kryeministrisë së Suedisë, me qëllim vazhdimin dhe intensifikimin e takimeve për një bashkëpunim të mëtejshëm.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë