Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave Rurale, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla, priti në një takim vajza dhe gra të përfshira në projektin “Fuqizimi i grave për zhvillim rural në Shqipërinë Veriore”.
Ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sektori bujqësor më gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, ku gratë jo vetëm marrin pjesë aktive, por edhe udhëheqin transformimin ekonomik të komuniteteve rurale.
Gratë pjesëmarrëse në këtë projekt kanë treguar përkushtim dhe vizion, duke ndërtuar me durim të ardhmen e tyre në bujqësi dhe agroturizëm.
Ministri Salla theksoi rëndësinë e mbështetjes institucionale për gratë në zonat rurale, duke përmendur rezultatet domethënëse që janë arritur falë Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi, ku nga vetëm 430 gra përfituese në vitin 2016, sot kemi arritur në rreth 7,500 gra që kanë përfituar nga mbështetja financiare dhe teknike.
“Nëpërmjet instrumenteve si Kredia e Butë, Garancia Sovrane, si dhe programeve të investimeve të drejtpërdrejta, po forcojmë rolin e grave në sektorin bujqësor, duke ecur drejt realizimit të vizionit tonë të përbashkët: “Bujqësia 2030”, një bujqësi e qëndrueshme, inovative dhe e barabartë për të gjithë”, deklaroi Ministri Salla.
Gratë në zonat rurale përfaqësojnë një shtyllë themelore të zhvillimit bujqësor dhe ruajtjes së traditave të qëndrueshme në bujqësi.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural mbetet e angazhuar në fuqizimin e mëtejshëm të grave dhe vajzave në zonat rurale, duke e konsideruar këtë si një prioritet për zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të vendit tonë.

© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë