Miratohen në Parlament Ligji “Për Prodhimin Biologjik” dhe “Për Mbrojtjen e Bimëve”.
Ministri Panariti në Parlament: Ligji “Për Mbrojten e Bimëve” përcakton standardet e prodhimit, kultivimit e përpunimit, mbron varietetet autoktone dhe krijimin e markës. Bujqësia njohu rritje, prodhim dhe eksporte, si asnjëherë më parë
Ligji “Për Prodhimin Biologjik” garanton zhvillimin e qëndrueshëm të prodhimit biologjik dhe të produkteve cilësore dhe rritjen e konkurencës
Parlamenti votoi sot dy projektligjet e dërguara nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, “Për Mbrojtjen e Bimëve” dhe atë “Për Prodhimin Biologjik”. Megjithë bojkotin e opozitës, dy ligjet u miratuan me nga 79 vota secili.
Më herët, në seancën plenare, Ministri Panariti mbrojti projektligjet dhe foli për zhvillimet e bujqësisë shqiptare.
“Projektligji ‘Për Mbrojtjen e Bimëve’ është konsultuar me të gjithë faktorët dhe aktorët e interesuar, prodhuesit, grumbulluesit dhe përpunuesit, si dhe është diskutuar gjerësisht dhe në komisionet parlamentare dhe ka marrë formën e plotë”. Kështu e nisi fjalën e tij në Parlament, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Z.Edmond Panariti, gjatë seancës së sotme parlamentare, kur pritej të diskutohej e më pas të kalonte në votim Projektligji “Për Mbrojtjen e Bimëve”.
Në këtë projektligj përcaktohen standardet e prodhimit, kultivimit, përpunimit të bimëve dhe janë aplikuar standardet më të larta, duke filluar që nga karantina bimore. Në këtë projektligj që pritet të votohet sot, përcaktohen dhe standardet për bazat e monitorimit të mbetjeve toksike në bimë, gjë që është edhe një nga kriteret parësore për sigurinë ushqimore”, deklaroi Ministri Panariti, gjatë fjalës së tij në seancën plenare. Sipas tij, për projektligjin në fjalë, janë zbatuar kritere e standarde rigoroze për të gjithë përpunuesit dhe prodhuesit, si dhe për konsolidimin e bazës që përcakton bimën endemike, autoktone, që është edhe baza e produkteve të markës.
“Ky projektligj cakton standardet e një përdorimi bimor modern, të qëndrueshëm, mbrojten e konsumatorit, të mjedisit dhe ne kemi përpara një projektligj që garanton një zhvillim të qëndrueshëm të të gjithë zinxhirit të bimëve”, theksoi Panariti, duke shtuar se, “ne kemi patur mirëkuptimin e pedagogëve për këtë ligj, për mbetjet toksike, për të cilat Universiteti Bujqësor i Tiranës nuk ka akreditim dhe për këtë, këto matje e analiza do t’i bëjë Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me strukturat e varësisë, siç është dhe ISUV. Monitorimi dhe kontrolli i bimëve, çështja e parazitëve, infeksioneve nga bakeriet, do t’i kalojnë UBT-së, nëpërmjet një memorandumi bashkëpunimi mes tij dhe Ministrisë së Bujqësisë”.
Gjatë debateve në Parlament, deputetët e opozitës kanë drejtuar bisedat e tyre drejt kultivimit të Cannabis Sativa, si dhe problematikës me tregun e mollëve, shqetësim i ngritur nga disa fermerë në Korçë.
Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrit të Bujqësisë, sipas të cilit, “Cannabisi nuk i përket as ministrisë dhe as fermerëve të ndershëm”.
“Mund të shkoni gjithandej për të parë vëllimin e mallrave, produkteve bujqësore që eksportohen.Eshtë rekord historik i eksportit të mollëve nga Korça. E kjo edhe për faktin se, për herë të parë vitet e fundit, janë mbjellë varietete që nuk i ka njohur ajo zonë. Shkoni shikoni realisht atë që ndodh në Korçë, atë çfarë tregtohet për përpunim vendas, për tregun vendas dhe për eksport dhe mos shikoni arkat që vihen para kamerave. Ne kemi patur dyfishim të eksporteve të frutave, në krahasim me vitin e kaluar. Po t’i referohemi vitit 2013, eksporti i tyre është 4-5 herë më i madh. Vetëm për 9 muajt e parë të këtij viti, bujqësia shqiptare solli 50 milion euro më shumë sesa gjithë viti i kaluar. E sotmja nuk është bujqësia e mbijetesës, por bujqësia me investime të papara ndonjëherë në Shqipëri. Investuam në kapacitete, si prodhuese, ashtu edhe grumbulluese e përpunuese.
Përpos statistikave, gjithësecili që ka dëshirën për të qenë objektiv, mund të shikojë edhe kanalet vaditëse. Jam i gatshëm t’ju bëj një bilanc të bujqësisë shqiptare. Ky model zhvillimi që kemi ndjekur, ka provuar që është i suksesshëm. Ka rritur zhvillimin, ka rritur të ardhurat për ekonominë kombëtare.
Unë e di që, siç thanë edhe parafolësit, nuk janë të mjaftueshme. Prandaj, sipas mundësive tona, u fut një mekanizëm i kreditimit të bujqësisë me interesa të ulëta, me afate të gjata dhe me garanci, me Fondin e Garancisë të krijuar nga qeveria dhe BERZH. Do shkojmë sërish drejt uljes së interesave, me qëllim që t’i çojmë fermerët drejt pagesës vetëm të principalit. Dhe, ajo që vlen të theksohet, është se sot, ne kemi ulje të importeve dhe rritje të eksporteve të prodhimeve bujqësore. Të gjitha këto që thashë, nuk janë statistika të Ministrisë së Bujqësisë, për të cilat ju mund të dyshoni. Janë të dhëna zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave”, deklaroi në fjalën e tij, Ministri Panariti.
Projektligji që u votua sot në parlament, është një risi për vendin tonë, pasi mbart në vetvete një numër konceptesh bashkëkohore dhe që ndikojnë në garantimin e sigurisë në mbrojtjen e bimëve dhe shëndetin e njerëzve në tërësi si: pasaporta bimore; një sërë certifikatash fitosanitare; ambalazhimi; përdoruesi profesionist; etj. Gjithashtu, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit shtohet në strukturat përgjegjëse për mbrojtjen e bimëve, të cilat kanë për detyrë kontrollin e zbatimit të këtij ligji. Gjithashtu, ky ligj përbën një trajtim më të gjerë të procesit të tregtimit, transportit dhe ruajtes ku parashikohet që transporti i PMB-ve (Produktet e Mbrojtjes së Bimëve), si dhe trajton procesin e ambalazhimit, si dhe licencimin e tij.
Në këtë ligj parashikohen edhe kërkesat për gjurmueshmërinë në të gjitha nivelet e prodhimit bimor që lidhet me shëndetin e njeriut. Gjurmueshmëria përcaktohet në të gjitha nivelet e prodhimit bimor me rrezik, objekteve të tjera ose PMB-ve, që janë ose priten të jenë të lidhura me shëndetin e bimëve, në të gjitha fazat e prodhimit, të përpunimit dhe të shpërndarjes së tyre.
Ndërkohë, qëllimi i ligjit të sapomiratuar “Për Prodhimin Biologjik” është të sigurojë bazën për zhvillimin e qëndrueshëm të prodhimit biologjik, funksionimin efikas të tregut të brendshëm dhe garantimin e konkurencës së drejtë, besimit dhe mbrojtjes së interesave të konsumatorëve. Ky projektligj synon të arrijë vendosjen e një sistemi menaxhimi të qëndrueshëm të bujqësisë, prodhimin e produkteve me cilësi të lartë, prodhimin e një larmie të gjerë ushqimesh dhe produktesh të tjera bujqësore, të cilat i përgjigjen kërkesës së konsumatorëve për produkte të prodhuara nga përdorimi i proceseve që nuk dëmtojnë mjedisin, shëndetin e njerëzve, bimëve ose shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve.
Projektligji “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre” është i parashikuar në Kapitullin 11 “Bujqësia dhe zhvillimi rural” dhe parashikon gjithashtu përcaktimin e disa rregullave të përgjithshme në prodhimin bujqësor, në prodhimin bimor, në prodhimin e algave të detit, në prodhimin blegtoral, në prodhimin në kalim, në prodhimin e ushqimeve të përpunuara për kafshë, në prodhimin e specieve nën akuakulturë, në prodhimin e majave biologjike, në prodhimin e ushqimeve të përpunuara biologjike, si dhe rregulla për grumbullimin, paketimin, transportin dhe ruajtjen e produkteve organike. Gjithashtu, projektligji parashikon një sërë ndalimesh në prodhimin biologjik të tilla si, përdorimi i OMGJ-ve dhe i produkteve të prodhuara nga ose me OMGJ, si ushqim, ushqim për kafshë, lëndë ndihmëse në përpunim, produkte për mbrojtjen e bimëve, plehëra të përdorimit bujqësor, përmirësues të tokës, material mbjellës dhe shumëzues bimor, mikroorganizma dhe kafshë.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë