

Autoritet Kombëtar i Ushqimit, në vijim të masave të marra për disiplinimin e tregtimit të mishit, bllokoi gjatë ditës së sotme, datë 16.03.2018 një tjetër pikë therje ilegale jashtë standardeve e cila kryente procesin e therjes së kafshëve pa ju nënshtruar kontrollit veterinar si dhe tregtonte mish pa çertifikatë veterinare, natyrisht e parregjistruar në QKB.
Shkelësi ishte shtetasi Pëllumb Kaziu – aktivitetin e kundraligjshëm e kryente në katin e parë të banesës se tij në Lagjen Spitallë, rruga Manskuria në qytetin e Durrësit.
Gjatë momentit të inspektimit të subjektit nga DRAKU Durrës u gjendën 5 karkasa qingji pa dokumentacion shoqërues.
Trupa inspektuese e Drejtorisë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Durrës, mori menjëherë masën urgjente për ndërprerje të menjëhershme të aktivitetit, si dhe masën administrative gjobë me vlerën 200.000 lekë.
Gjithashtu u sekuestruan 42 kg mish qengji, 6 kg plënc, lëkura (5 copë), thika, çengel dhe mjetet e tjera të punës që përdoreshin për therjen e kafshëve.
Subjekti ushtronte aktivitetin si njësi tregtimi mishi por nuk rezulton i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Bizneseve (QKB) dhe siç duket edhe në video dhe foto, ambienti në të cilin tregtohej produkti mish, ishte jashtë çdo stadardi edhe minimal të Sigurisë Ushqimore – duke përbërë kështu rrezik real e të vazhdueshëm për konsumatorin.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë