Ministri Salla në Forumin e 3-të Kombëtar për Cilësinë dhe Standardet: Gjurmueshmëria, çelësi i hapjes së tregjeve europiane për produktet shqiptare - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 11/11/2025

Ministri Salla në Forumin e 3-të Kombëtar për Cilësinë dhe Standardet: Gjurmueshmëria, çelësi i hapjes së tregjeve europiane për produktet shqiptare

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla, mori pjesë në Forumin e 3-të Kombëtar për Cilësinë dhe Standardet, ku theksoi rëndësinë e gjurmueshmërisë si element kyç për sigurinë ushqimore, besimin e konsumatorit dhe hapjen e tregjeve europiane për produktet shqiptare.

Forumi u përshëndet edhe nga Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, znj. Ruth Huber dhe  Kordinatorja Kombëtare e UNIDO&GQSP në Shqipëri, znj. Elvana Zhezha.

Ministri Salla nënvizoi se procesi i integrimit në Bashkimin Europian kërkon modernizim të sektorit agroushqimor, dhe se negociatat për Kapitujt 11 dhe 12 janë më shumë se kërkesa teknike, ato janë udhërrëfyes për avancimin e bujqësisë shqiptare.

Salla bëri të ditur se tashmë po kalohet nga politika në zbatim konkret, me angazhime që përfshijnë digjitalizimin e proceseve të e-certifikimit, pilotimin e teknologjive të monitorimit dhe përmirësimin e bazave të të dhënave kombëtare.

Në të njëjtën kohë, po hartohen masa fiskale dhe financiare mbështetëse për fermerët, për t’i ndihmuar ata në këtë proces transformimi.

Ministri vuri në dukje se ky proces kërkon një aleancë kombëtare për cilësinë, duke përfshirë institucionet kërkimore dhe akademike, laboratorët dhe infrastrukturën e standardeve, si edhe sektorin financiar dhe privat.

“Qëllimi është ndërtimi i një sistemi të vetëm, ku të dhënat lëvizin me siguri dhe integritet, nga ferma deri në kufirin europian”, deklaroi ministri.

Ministri Salla nënvizoi se transformimi i sektorit është ambicioz, por i domosdoshëm, dhe se fermerët shqiptarë meritojnë të gjitha mundësitë për të konkurruar në kushte të barabarta.

Ai bëri thirrje për bashkëpunim të gjerë dhe për angazhim të përbashkët drejt një bujqësie moderne, të qëndrueshme dhe europiane.