Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Anila Denaj, mori pjesë sot në aktivitetin promovues të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT), ku u prezantua oferta akademike e njësuar me modelin e Universitetit BOKU të Vjenës, e cila do të nisë në shtator të këtij viti.
Ky projekt është një hap i madh drejt modernizimit dhe avancimit të arsimit të lartë në Shqipëri, duke e pozicionuar UBT-në si një universitet të nivelit europian.
Në aktivitetin e sotëm, të pranishëm ishin edhe kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sporteve Ogerta Manastirliu, rektori i UBT-së Fatbardh Sallaku dhe ish-rektori i BOKU-së, Profesor Hubert Hasenauer.
Në fjalën e saj, ministrja Denaj e cilësoi këtë moment si një “ëndërr të realizuar” falë angazhimit të kryeministrit Edi Rama dhe bashkëpunimit të shkëlqyer të rektorit të BOKU-së, profesor Hubert Hasenauer, dhe ekipit të UBT-së.
Ajo nënvizoi se UBT është sot universiteti BOKU në Tiranë, duke ofruar 9 programe akademike të njësuara plotësisht me sistemin e BOKU-së.
Programet përfshijnë degë të rëndësishme si menaxhimi i biznesit, zhvillimi ekonomik, agronomia, mbrojtja e bimëve, veterinaria dhe shumë të tjera që lidhen ngushtësisht me zhvillimin rural dhe sigurinë ushqimore.
“Ky njësim sjell një rritje të nivelit të mësimdhënies dhe fuqizimin e kërkimit shkencor, një nevojë e domosdoshme për zhvillimin e bujqësisë dhe ekonomisë shqiptare. Studentët që do të nisin këtë program akademik do të jenë të parët që do të dalin me një diplomë të njësuar dhe do të përfitojnë nga një proces akademik dhe kërkues shkencor i nivelit ndërkombëtar”, tha ministrja Denaj.
Ministrja theksoi se ky zhvillim është një hap i rëndësishëm drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, dhe ka për qëllim të kthejë UBT-në në majën e universiteteve në rajon, duke ofruar mundësi për kërkime të përbashkëta me lektorë dhe studentë nga rajoni dhe bota.
Në këtë kontekst, znj. Denaj bëri të ditur se është planifikuar ndërtimi i një Qendre Ekselence për Nanoteknologjinë, e cila do të mbledhë kërkues shkencorë dhe studentë nga Shqipëria, rajoni dhe më gjerë.
Po ashtu, shtoi ministrja Denaj, një tjetër nismë e rëndësishme është krijimi i një Qendre të Gjeoinformacionit për Ballkanin Perëndimor, e cila do të bëjë të mundur avancimin e kërkimeve shkencore në rajon.
Ministrja Denaj falënderoi akademikët, veçanërisht profesor Sallakun dhe ekipin e tij, për angazhimin e madh dhe punën e palodhur për realizimin e këtij projekti brenda një viti.
Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit konkret për të nxitur punësimin në fushat e bujqësisë dhe zhvillimit rural, duke ofruar mundësi punësimi për studentët pas përfundimit të studimeve.
“Ne kemi filluar së bashku një marrëdhënie bashkëpunimi reale, konkrete për të nxitur punësimin në të gjitha degët dhe për të siguruar integrimin e studentëve në sektorin publik dhe privat”, shtoi ministrja.
Ministrja Denaj ftoi maturantët të aplikojnë për programet europiane në UBT, duke filluar nga data 29 korrik në portalin U-Albania, dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi të artë për një të ardhme të suksesshme profesionale dhe akademike.
“Kjo është mundësia juaj për të kontribuar në zhvillimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Ta përdorni këtë mundësi me mençuri dhe të bëhemi ambasadorët më të mirë të dijes dhe zhvillimit”, u shpreh ministrja.

Fjala e plotë:
Një ëndërr që sot është bërë realitet falë këmbënguljes së Kryeministrit, por dhe një bashkëpunimi fantastik, të shkëlqyer të rektorit Hasenauer dhe ekipit të Universitetit Bujqësor Tiranës, të cilët prej një viti kanë punuar në mënyrë të dedikuar dhe sjellin sot për këtë shtator, një ofertë të re akademike të njësuar plotësisht me Boku të Vienës. UBT-ja është sot Universiteti Boku në Tiranë. Shumë faleminderit!
Ky njehësim sjell një rritje të nivelit të mësimdhënies. Janë nëntë programe akademike bachelor, duke filluar nga menaxhimi i biznesit tek zhvillimi ekonomik, agronomik, mbrojtja e bimëve, veterinaria, por mbi të gjitha në vëmendje të këtij programi është fuqizimi i kërkimit shkencor, i cili vjen si një nevojë e domosdoshme dhe bashkërendim dhe e shumë aktiviteteve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, duke fuqizuar të gjitha fushat që përmenden pak më lart, por mbi të gjitha, duke dhënë një perspektivë të re të këtij zhvillimi për ekonominë shqiptare.
Studentët që nisin programin akademik do të jenë të parët që do dalin me një diplomë të njësuar plotësisht dhe me procesin akademik dhe procesin e kërkimit shkencor. Një frymë e re drejt Bashkimit Evropian drejt Shqipërisë 2030.
Vizioni është i qartë: UBT të kthehet në majën e universiteteve në rajon, në një kampus ku lektorë dhe studentë nga rajoni dhe pse jo, nga gjithë bota të vijnë për të studiuar, për të dhënë mësim dhe për të realizuar kërkime të përbashkëta. Në këtë kampus është parashikuar edhe ndërtimi i qendrës së ekselencës për nanoteknologjinë, një qendër multidimensionale që do të mbledhë rreth vetes kërkues shkencorë dhe studentë nga Shqipëria, rajoni dhe më gjerë.
Në këtë frymë, bashkëpunimi rajonal dhe shkencor ka edhe një tjetër nismë, ajo e krijimit të një projekti për qendrën e gjeo-informacionit për Ballkanin Perëndimor, pra UBT po kthehet në një qendër të kërkimit shkencor në rajon e më gjerë.
Këto marrëdhënie bashkëpunimi flasin qartë për punën e shkëlqyer dhe unë dua ta falenderoj profesor Sallakun dhe gjithë ekipin e tij, për një punë të shkëlqyer përgjatë gjithë këtyre viteve, për të thelluar më tej këtë bashkëpunim që kemi nisur dhe besoj që do të jetë shumë i frytshëm, jo vetëm në pjesën akademike, por dhe në pjesën e punësimit.
Në fund, dua të theksoj rëndësinë që ka ky universitet për ne në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ne kemi filluar së bashku një marrëdhënie bashkëpunimi reale, konkrete për të nxitur punësimin në të gjithë këto degëzime që përmendëm pak më parë, në Ministrinë e Bujqësisë dhe në institucionet e varësisë.
Kemi një ofertë konkrete për secilin nga studentët që do të dalin nga ky universitet, për të gjitha degët, në mënyrë që procesi i integrimit të bëhet falë jush, me ju dhe të kemi një mundësi për të zhvilluar Shqipërinë në atë majë në Bashkimin Evropian në 2030. Kështu që, ju ftoj të gjithëve ta shikojnë këtë si një mundësi të artë, duke filluar nga data 29 korrik, ku fillojnë dhe aplikimet në portalin ku të gjithë ju, maturantë, keni një ofertë të shkëlqyer dhe nuk mund ta humbisni këtë vit. Prandaj ta përdorni me mençuri dhe të bëhemi ambasadorët më të mirë të dijes për zhvillim dhe në fund një falenderim për të gjithë akademikët, të cilët prej kohësh kanë qenë një mbështetje për Ministrinë e Bujqësisë, por mbi të gjitha janë ambasadorët e dijes në Shqipëri, shumë faleminderit për punën tuaj dhe shpresoj që këtë bashkëpunim ta kemi të frytshëm në vijim.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë