Nuk ka më vonesa në doganë për eksportet me Maqedoninë
Të mërkurën në 4 prill, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi ka zhvilluar një vizitë një ditore në Ohër, ku është takuar me ministrin maqedonas të Bujqësisë, Pyjeve dhe Ekonomisë Ujore, z. Ljupco Nikolovski. Në qendër të këtij takimi ka qenë pikërisht nxitja dhe lehtësimi i marrëdhënies tregtare mes dy vendeve, në fushën e bujqësisë, kjo edhe në kuadër të zbatimit të tregtisë së lirë si dy vende të CEFTA-s. Gjatë këtij takimi, ministri Peleshi u ndal më konkretisht tek lehtësimi i procedurave doganore në eksportin e prodhimit të hershëm bujqësor, problem i ngritur më herët edhe nga tregtarët shqiptarë, si dhe në zgjerimin e listës së eksportit për nënproduktet e qumështit. Volumi tregtar në sektorin e bujqësisë për vitin 2017, ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë ishte rreth 3.3 miliardë lekë. Në kuadër të vendeve CEFTA, Maqedonia është një ndër tre partnerët tregtarë kryesorë, nga ku kanë origjinën 30.1% të importeve të produkteve bujqësore dhe shkojnë 12.7% të eksporteve tona. “Me këtë vullnet politik i kemi të gjitha mundësitë të rritim volumet tona tregtare”, tha ministri Peleshi.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë