9,9% rritje
Ky vit është një nga vitet më të mira të bujqësisë shqiptare, përsa i përket prodhimit bujqësor dhe eksportit. Sipas të dhënave zyrtare eksportet bujqësore për 9-mujorin 2018 kanë shënuar një rritje prej 9.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat tregojnë që për 9-mujorin e parë të 2018, të gjithë kapitujt janë në rritje. Kështu, patatja është dyfishuar në krahasim me 9-mujorin 2017, domatja ka një rritje prej 2.1%. Perime të tjera si qepë, presh, hudhra dhe zarzavate të tjera djegëse, kastraveca etj, në total kanë shënuar një rritje me 6.3%, e përkthyer në vlerë monetare nga 1.4 mld lekë në 1.5 mld lekë në 2018. Po ashtu dhe eksporti i frutave, ku dhe këtu bëjnë pjesë artikuj me potencial eksporti si luleshtrydhja ka shënuar një rritje prej 35%. Eksportet e agropërpunimit rezultojnë pozitive me 18%. Sipas shifrave zyrtare, eksporti i sherebelës shqiptare ka arritur të kapë pothuajse 70 % të tregut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke eksportuar kështu 33 herë më shumë se sa importojmë. Këto prodhime janë duke patur një fluks të madh kërkesash nga tregje të ndyshme evropiane me standarde shumë të larta, për vetë faktin, pasi janë prodhime të garantuara, të një cilësie të lartë dhe ajo që është më e rëndësishme të pastra biologjikisht. Një pjesë e mirë e këtyre artikujve janë pjesë e shportës së 15 artikujve të përzgjdhur si potenciale të larta eksportuese. Kjo shportë u kompozua në bazë të kritereve, që kanë të bëjnë me matjen e fluksit të eksportit të produktit, me potencialet e tyre në të ardhmen dhe me masën e punësimit dhe që u bë publike në Konferencën Kombëtare të Bujqësisë. Qeveria shqiptare është e vendosur që krahas mbështetjes së fermerëve me subvencione, investime dhe me grante do mbështesë dhe pikat e grumbullimit, si garantuese të tregut.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë