Mbahet Takimi i III-të i Komitetit të Monitorimit për Programin IPARD III - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 03/12/2025

Mbahet Takimi i III-të i Komitetit të Monitorimit për Programin IPARD III

Në Tiranë u zhvillua sot Takimi i III-të i Komitetit të Monitorimit për Programin IPARD III, një program kyç për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale në Shqipëri.

Takimi u kryesua nga Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla dhe morën pjesë përfaqësues nga Komisioni Evropian, Delegacioni i BE-së në Shqipëri, struktura të IPARD-it dhe donatorë ndërkombëtarë.

Ministri Salla theksoi rëndësinë e veçantë që ky takim merr pas hapjes së cluster-it të fundit të negociatave me Bashkimin Evropian, më 17 nëntor, duke nënvizuar progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në bujqësi, zhvillim rural, siguri ushqimore dhe peshkim.

Më tej, Ministri Salla nënvizoi rëndësinë e kësaj platforme monitorimi për analizimin e progresit dhe identifikimin e sfidave, si dhe për forcimin e mekanizmave të menaxhimit dhe kontrollit.

Ministri gjithashtu nënvizoi përgatitjen për masat e reja të mbështetjes që do të ofrohen në kuadër të Programit, duke vlerësuar mbështetjen e TAIEX, Delegacionit të BE-së dhe FAO-s, të cilët kanë kontribuar me ekspertizë dhe trajnime për rritjen e kapaciteteve të strukturave të IPARD, veçanërisht në lidhje me masën LEADER.

Ministri u ndal dhe te paketa kombëtare e mbështetjes për sektorin bujqësor, përfshirë Skemën Kombëtare të Investimeve, kreditë e buta me garanci sovrane dhe mekanizmin e ri fiskal të kompensimit të TVSH-së, të cilat synojnë rritjen e investimeve dhe përmirësimin e likuiditetit të fermerëve.